Vjen njeriu i golave
17.03.2017 | 09:28
Golashënuesi më i mirë i ligës së Australisë, Besart Berisha, shpresojmë se do të hap llogarinë e golave edhe  me fanelen e Kosovës. Në ndeshjet e deritashme, Kosovës i ka munguar një golashënues tipik me cilësitë çfarë i ka Besart Berisha. 
 
Kemi folur e kemi shkruar sa e sa herë se Kosovës po i mungon një golashënues tipik. E kemi potencuar edhe me emër. Kemi folur e kemi shkruar për golat e tij të shumtë në një kontinent të largët. Për te kanë folur e kanë shkruar edhe shumë mediume ndërkombëtare. Ka nisur në Gjermani, ka luajtur në Danimarkë, Angli, Norvegji, pastaj është kthyer në bundesligën gjermane. Ka luajtur në Ligën e Kampionëve, ka luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë. Kulminacionin e ka arritur në ligën e Australisë. Atje është zgjedhur golashënuesi më i mirë i kontinentit dhe ka fituar këpucen e artë. Tani ai është në Kosovë. Do të luaj për Përfaqësuesen e Kosovës – djaloshi nga Prishtina - Besart Berisha.
 
Besart Berisha si femijë 8 vjeçar, me prindërit e tij zhvendoset nga Prishtina në Gjermani në vitin 1992. Atje nis karrieren si futbollist, duke kaluar grupmoshat sipas rrites së tij. Kalon nëpër klubet e ndryshme si BFC Dynamo, SV Lichtenberg dhe Tennis Borussia Berlin. Talenti i tij për futboll dhe golat e shumtë të shënuar ranë në sy të ekspertëve të futbollit, dhe si golashënuesi më i mirë i juniorëve, transferohet te skuadra e njohur gjermane Hamburger SV, duke nënshkruar kontratë profesioniste për vitet 2004-2007. Ndërkohë HSV e huazon te disa skuadra tjera daneze, fillimisht te Aalborg (2004-2005), pastaj Horsens (2005-2006), për tu kthyer përsëri te Hamburgu në sezonin 2006-2007. Në këtë sezon Berisha ishte pjesë e ekipit të parë. 
 
Me Hamburgun, Besart Berisha luajti edhe në gara të Ligës së Kampionëve, me ç’rast në ndeshjen kundër ZSKA Moskë ka shënuar një gol (6 dhjetor 2006), për të siguruar fitoren e ekipit të tij 3:2.
 
Është ftuar të luaj për Kombëtaren e Shqipërisë, dhe me 11 tetor 2006 ka pas paraqitjen e tij të parë kundër Holandës. Ndërsa golin e tij të parë (dhe të vetëm) në fanelen “kuq e zi” e ka shënuar në ndeshje kundër Anglisë (25.maj 2007).
 
Periudhen 2007-2008, Berisha e kalon i huazuar, në Angli, te FC Burnli e pastaj në Norvegji te Rosenborg.
 Në vitin 2009 kthehet në Gjermani, tani te skuadra e bundesliges 2 – Arminia Bilefeld. Aty ka zhvilluar 28 ndeshje dhe ka shënuar dy gola.
 
Ndërsa nga viti 2011 fillon një etapë e re për karrieren e Besart Berishës. Shkon larg në Australi dhe nënshkruan për klubin Brisbane Roar. Qysh në ndeshjen e dytë, Berisha shënon gol, ndërsa në ndeshjen e katërtë shënon “Hattrick”. Disa xhiro me vonë, në ndeshjen kundër Adelaide United, Besart Berisha shënon 4 gola për fitoren 7:0 të ekipit të tij.
 
Në sezonin 2011–2012 me 19 gola të shenuar në 26 ndeshje, shpallet golashënuesi më i mirë i ligës “A”.
Ndërsa, për periudhen 2011-2014 sa ka luajtur në përgjithësi te Brisbane Roar, në 65 ndeshje Berisha ka shënuar 41 gola.
 
Që nga fillimi i vitit 2014, Besart Berisha ka kaluar te klubi tjetër Melburne Victory në të cilin po ashtu po shkëlqen. Deri me tani, në 43 paraqitje ka shënuar 26 gola.  
 
Besart Berisha, me 16 mars 2017 ka ardhur në Prishtinë, i ftuar në përfaqësuesen e Kosovës për ndeshjen kualifikuese kundër Islandës që me 24 mars zhvillohet në Shkodër.
 
Shpresojmë se, Besart Berisha do të hap llogarinë e golave edhe  me fanelen e Kosovës. Në ndeshjet e deritashme, Kosovës i ka munguar një golashënues tipik me cilësitë çfare i ka Besart Berisha. 
 
E.Ejupi  
 
P.S. Fotot e huazuara 
Email to send to: *
Your name: *
Your E-mail: *