Nehare Janjeva dhe Milot Makolli, fitues të Turneut Adem Jashari 2017
06.03.2017 | 11:16
Në Sallën e pingpongut në Prishtinë, u mbajt turneu tradicional Adem Jashari. Morën pjesë 80 pingpongistë dhe pingpongistë nga Kosova.
Në konkurrencën e meshkujve, pati ndeshje interesante dhe cilësore. Vërehet një rivalitet më i madh dhe ngritje e cilësisë së lojtarëve, duke i falënderuar një grupi të lojtarëve që sivjet kanë kaluar nga juniorët në seniorë. Ndeshje interesante u zhvilluan ndërmjet Yll Prestreshit dhe Fati Karabaxhakut, ku pas një loje të fortë, fitorja i takoi Prestreshit. Karabaxhaku edhe pse ende kadet është duke u bërë rezistencë të denjë lojtarëve më të mirë seniorë.
Lojë po ashtu interesante u zhvillua edhe ndërmjet Kreshnik Mahmutit dhe Milot Makollit. Edhe në këtë ndeshje mungesa e përvojës së Mahmutit, bëri që fitorja ti takojë Makollit me 3:0 në sete. Ndeshje shumë e rivalizuar dhe me rivalitet të theksuar u zhvillua edhe ndërmjet Yll Dragidellës dhe Blendon Lutës. Edhe pse Dragidella ishte lehtësisht favorit, këtë herë Luta me më shumë vullnet për fitore ia doli të triumfojë me 3:1 në seta. Blendoni luajti mirë edhe në çerekfinale kundër Mentor Shabanit, por Mentori megjithë vështirësitë që pati nuk lejoi befasi dhe me meritë u rendit në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale u kualifikuan edhe Rrahman Ademi, Milot Makolli dhe Besart Domaniku. Pas ndeshjeve  të forta dhe me shumë pikë atraktive Miloti doli fitues ndaj Besartit me 3:1 në sete, kurse Rrahmani e mundi Mentorin me 3:0 në seta. Finalja ishte përsëritje e finales së para dy javëve nga turneu për Pavarësinë e Kosovës ku përballë ishin lojtarët e klubit Elting Kosova. Këtë herë fitorja i takoi Milotit me rezultatin 3:1 në sete duke e fituar kështu me plotë meritë turneun e sivjetëm  kushtuar heroit Adem Jashari.
Te femrat, pati vetëm 8 pjesëmarrëse, por nuk munguan lojërat e mira. Kështu Alma Mehmeti i bëri rezistencë të fortë Iliriana Halitit dhe fitorja në fund i takoi Ilirianës vetëm pas katër seteve të luajtur (3:1). Më interesante dhe e paqartë sa i përket rezultatit ishte takimi ndërmjet Era Janjevës dhe Hanife Zeqirit. Të dyja lojtaret dëshmuan cilësitë e tyre dhe fituan nga dy seta për ta dërguar  ndeshjen në setin e pestë final. Në fund Hanifja u tregua më e përqendruar dhe me meritë u plasua në gjysmëfinale. Hanifja e bëri dramatike edhe gjysmëfinalen me Nehare Janjevën dhe dukej sikur do të kalonte n finale, pasi udhëhoqi me 10.7 në setin e pestë, por Neharja e ruajti qetësinë dhe në fund triumfoi me 3:2 në sete. Në gjysmëfinalen e dytë, Iliriana Haliti ishte më e mirë se Linda Zeqiri (e para në ranglistë) dhe me fitore 3:0 në seta u rendit në finale. Finalja u zhvillua ndërmjet dy lojtareve të KP Prishtina, Ilirianës dhe Nehares. Fitorja e ndeshjes gjysmëfinale në momentet e fundit sikur i dha më shumë vetëbesim Nehares pasi ajo i fitoi të tre setat e finales dhe krejt ndeshjen me 3:0 në sete. Aktiviteti i radhës i fppk-së është  në javën e ardhshme ku në kalendar janë të parapara liga e juniorëve edhe liga e parë.Fadil Luta sekretar i FPPK-së.
 
Email to send to: *
Your name: *
Your E-mail: *